Nuk flas për ushqimin sepse kam uri.
Flas për të sepse aty kam rrënjët.
E gjej veten shpesh duke folur për ushqimin. Duke pyetur për receta. Duke analizuar shije. Duke kërkuar përbërës.
Dhe natyrshëm lind pyetja: pse?
Në analizën time të shpejtë mendore dalin disa përgjigje: gjurmë nga fëmijëria, trashëgimi atëror, kulturë familjare… por sa më shumë e vëzhgoj këtë prirje, aq më tepër kuptoj se rrënjët janë shumë më të thella. Ato lidhen me historinë time.
Gjyshja: arti i nikoqirllëkut si identitet
Gjyshja ime nga babai ishte mishërimi i zonjës së shtëpisë. Ajo rriti pesë fëmijë – katër djem dhe një vajzë – duke menaxhuar me kujdes buxhetin familjar dhe duke pritur pafund të ftuar.
Ishte nga ato gra që nuk njihnin mungesën, sepse dinin ta shndërronin pakicën në bollëk.
Motra dhe vëllai im kanë qënë në moshë të vogël, gjatë viteve 80(sepse unë kam lindur më vonë), dhe më tregojnë sa herë flasim për të, se ajo shpesh krijonte receta “nga hiçi”, me ato pak gjëra që ndodheshin në frigorifer. Dhe ajo që dilte prej duarve të saj ishte gjithmonë e denjë për tavolinë me miq.
Ritualet që formojnë kulturë
Një histori që më ka mbetur në mendje është ajo e “provës së bakllavasë”. Në javën e mirëseardhjes së një nuseje në fisin tonë, disa gra më të moshuara numëruan petët e bakllavasë për të testuar nëse ajo ishte vërtet nikoqire. Madje e pyetën nëse e kishte përgatitur vetë dhe si e kishte bërë sherbetin.
Ishte një ritual i heshtur, por i fuqishëm: gatimi si dëshmi e aftësisë, e përkushtimit, e identitetit.
Në atë kulturë, kuzhina nuk ishte thjesht ushqim.
Ishte dinjitet.


Babai: cilësia si formë respekti
Nga ana tjetër, im atë kishte një ndjeshmëri të hollë për cilësinë e ushqimit. Për vite me radhë punoi në tregtinë e mishit dhe nënprodukteve të tij. Ai dinte ta dallonte cilësinë me intuitë.
Ishte nga ata njerëz që nuk hanin thjesht për të ngopur stomakun, por për të ushqyer trupin.
Peshku ishte i parapëlqyeri i tij. Shpesh e përsëriste:
“Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë.”
Në mënyrën e tij, ai më mësoi se ushqimi është përgjegjësi ndaj vetes.
Fëmija që ëndërronte të ishte shefe kuzhine
Sot e kuptoj se kuzhina nuk është thjesht procesi i krijimit të një produkti për mbijetesë.
Ajo është:
Komunikim – sepse në tryezë ndahen histori dhe krijohen kujtime.
Kulturë – sepse çdo recetë mbart historinë e një familjeje apo një kombi.
Terapi – sepse gatimi qetëson dhe të rikthen në momentin e tanishëm.
Jetëgjatësi – sepse ushqimi i mirë është investim në shëndet.
Kuzhina si komunikim, kulturë dhe terapi
Ndoshta prirja ime për të folur për ushqimin nuk është rastësi. Psikologjikisht, ne shpesh përsërisim atë që në fëmijëri ka qenë burim sigurie, dashurie dhe vlerësimi.

Në fund…
Ndoshta nuk flas për ushqimin.
Ndoshta flas për rrënjët.
Për kujtesën.
Për dashurinë që kalon nga një brez tek tjetri përmes një pjate të ngrohtë.
Po ti, për çfarë flet më shpesh pa e kuptuar?
Çfarë historie fshihet pas asaj teme?
Lini një Përgjigje