Kur heshtja u bë gjuha ime e parë

Nga një histori familjare, në një mision jetësor dhe profesional


Kur fati nuk të pyet, por të zgjedh

Ndonjëherë, fati nuk të pyet se çfarë do. Ai thjesht të vendos përballë rrethanave që, pa e kuptuar, të japin një mision. Dhe kur rritesh, kupton se ai mision nuk ishte kurrë i përkohshëm – por një rrugë që të çon drejt një profesioni, një thirrjeje.

Kështu ka qenë për mua raporti me interpretimin dhe Gjuhën e Shenjave. Nuk jam gjendur rastësisht në këtë fushë. Nevoja për komunikim më shtyu të mësoja, të punoja dhe të kuptoja më shumë një profesion që sot po bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm, për shkak të nevojës reale që ka komuniteti i personave që nuk dëgjojnë në Shqipëri.


Një komunitet që ka nevojë të dëgjohet

Sipas një studimi të kryer nga INSTAT në bashkëpunim me ANAD, komuniteti i personave që nuk dëgjojnë në Shqipëri përbëhet nga rreth 39.000 persona, prej të cilëve rreth 5.000 jetojnë në Tiranë. Ky studim erdhi si domosdoshmëri për të identifikuar nga afër realitetin, numrin konkret dhe nevojat e këtij komuniteti.

Vetë ANAD e inicioi këtë proces në vazhdën e përpjekjeve për njohjen dhe zyrtarizimin e Gjuhës së Shenjave, si dhe për garantimin e një statusi specifik për personat me aftësi të veçanta. Përtej shifrave, ky studim i dha zë një realiteti që për shumë kohë kishte mbetur në heshtje.


Historia ime nuk nis me shifra, por me familjen

Për mua, kjo histori nuk fillon me statistika. Fillon në shtëpi.

Kam qenë shumë e vogël kur shihja vëllanë tim të përpiqej të komunikonte ndryshe. Nxirrte tinguj, përdorte gjeste, kërkonte përgjigje pa fjalë. Më dukej njëkohësisht e çuditshme dhe magjepsëse. Sidomos kur vinin miqtë e tij dhe, në një heshtje të plotë, shkëmbenin aq shumë informacion sa që për mua ishte e pabesueshme. Si mund të flitej kaq shumë pa zë?

Një foto familjare gjatë aktivitetit dedikuar “Javës Ndërkombëtare të Personave që Nuk Dëgjojnë”

Një incident që ndryshoi gjithçka

Me kalimin e viteve, mësova arsyen pse vëllai im nuk dëgjonte. Një histori që për familjen time mbetet ende një plagë e hapur.

Ishte viti 1985. Shqipëria ishte nën regjimin komunist. Vëllai im ishte vetëm dy vjeç e gjysmë kur, në ambientin e çerdhes, ndodhi incidenti që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. Gjatë orarit të gjumit, në një moment shkujdesjeje, ai rrëzohet dhe goditet rëndë.

U dërgua menjëherë në spital. Ajo që e bën këtë histori edhe më të dhimbshme është fakti se mamaja ime punonte në atë spital, por askush nuk e njoftoi. Ajo e mori vesh çfarë kishte ndodhur pas 9 orësh, kur pa djalin e saj pa ndjenja.

Në mes të frikës dhe kaosit, mjekët gabimisht i injektuan një antibiotik që çoi në shurdhim total.


Një nënë, një dhimbje, një forcë e panjohur

Mamaja ime tregon shpesh se vëllai im kishte qenë një fëmijë që fliste dhe ecte herët. Në një çast, gjithçka u këput. Për të, nisi një botë e re, e panjohur. Për nënën time nisi një rrugë e gjatë dhimbjeje, mohimi dhe sfidash.

Gëzimi i mëmësisë u zëvendësua nga një forcë që ajo nuk e dinte se e kishte.


Hapat e mi të parë në Gjuhën e Shenjave

Mes meje dhe vëllait tim ka dhjetë vite diferencë. Deri në atë kohë, motra jonë e madhe ishte ajo që e kuptonte më mirë dhe i qëndronte pranë. Unë isha vetëm 9 vjeç kur për herë të parë mësova të gërmëzoja emrin tim në Gjuhën e Shenjave.

Ishte vetë ai që më ftoi të zbuloja më shumë për botën dhe kulturën e personave që nuk dëgjojnë.

Ai kishte nisur punë në një organizatë që do të bëhej shumë e rëndësishme për komunitetin. Më ftonte – shpesh me “detyrim” – të ndiqja konferenca dhe aktivitete. Në fillim nuk kuptoja asgjë dhe largohesha shpejt. Por me kalimin e kohës, këto takime u bënë pjesë e jetës sime.


Heshtja që më mësoi të kuptoj veten

Aty fillova të kuptoja jo vetëm mënyrën e tyre të komunikimit, por edhe mënyrën sesi ata e shihnin botën. Kjo përvojë ndikoi thellë në perceptimin tim për jetën dhe për veten.

Heshtja e tyre më ndihmoi të kuptoja se çfarë do të thoshte të ishe introvert. Të flisje më shumë me mendime sesa me zë.


Nga vëzhguese, në përgjegjëse

Në vitin 2023, fillova kursin e interpretimit. Nuk ishte e lehtë. Trajnerët e mi ishin pjesë e komunitetit që unë e njihja prej vitesh, por tani roli im kishte ndryshuar.

Nga vëzhguese, u bëra përgjegjëse.

U përballa me paragjykime, me presion dhe me kritika. Shpesh shihesha si “ajo që i ka gjërat më të lehta”, vetëm sepse isha motra e drejtuesit të organizatës. Në realitet, ishte e kundërta. Gabimet e të tjerëve shpesh rëndonin mbi mua.


Një profesion që nuk ishte kurrë vetëm punë

Kam bërë edhe punë të papaguar, sepse ndihma ndaj këtij komuniteti nuk ka qenë kurrë thjesht detyrë. Ka qenë zgjedhje.

Për mua, interpretimi nuk është vetëm profesion. Është vazhdim i një historie personale, i një dhimbjeje familjare dhe i një misioni që fati ma dha shumë herët.

Sot, çdo shenjë që përkthej, çdo heshtje që bëhet zë, është një mënyrë për t’i dhënë kuptim gjithë asaj rruge.

Gjatë kursit të Interpretimit pranë zyrave të ANAD

Lini një Përgjigje

Zbuloni më tepër nga Roro Stories

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin