Mëmësia të bën të kuptosh më shumë dhe të gjykosh më pak”.
“Midis dashurisë dhe lodhjes: ditët e mia pas lindjes”

Kjo fotografi është shkrepur në një moment kur jashtë gjithçka dukej e qetë, por brenda meje po ndodhte një stuhi emocionesh. E mbaja fëmijën tim në krahë dhe, ndërsa e shikoja, ndjeja një dashuri të pakushtëzuar, por edhe lodhje, frikë dhe një ndjenjë të thellë pasigurie që nuk e kisha njohur më parë.
Pas lindjes, trupi im ndryshoi, rutina ime u zhduk dhe mendja ime nuk pushonte së pyeturi veten nëse po bëja mjaftueshëm. Kishte net pa gjumë, ditë me lot pa arsye të dukshme dhe momente kur ndihesha fajtore që nuk isha gjithmonë “e fortë” apo “e lumtur”, ashtu siç shpesh pritet nga një nënë e re.
Periudha postpartum nuk është vetëm një fazë fizike rikuperimi. Është një përballje emocionale me veten, me pritshmëritë shoqërore dhe me identitetin e ri që po formohet. Ka ditë kur ndihesh e vetmuar, edhe pse nuk je kurrë vetëm.
Gjatë kësaj periudhe, mes luftrave të brendshme dhe pritshmërive të jashtme, u hasa rastësisht me një mini-dokumentar në YouTube që fliste pikërisht për atë që po përjetoj. Një shprehje aty më mbeti në mendje, sidomos duke ditur se më parë kisha pasur një jetë shumë aktive – deri në tejlodhje – aq sa rrezikoja të sillja në jetë një bebe premature. Ishte një torturë më vete, mes këshillash të pafundme, dëshirës për të bërë gjithmonë më shumë dhe lutjeve që bebja të ishte e shëndetshme.
Shprehja ishte kjo:
“Kujto se të qëndruarit në shtëpi nuk do të thotë se po rri pa bërë gjë, por se po bën punën që po të rrit ty çdo ditë.”
Në pamje të parë duket e thjeshtë dhe e gjithëditur. Por rutina, lodhja dhe ditët që duken të njëjta bëjnë që shpesh të harrojmë gjërat më të rëndësishme. Dhe se duhet të jemi falënderues për rrugën nëpër të cilën po kalojmë.
Sigurisht, kjo rrugë nuk ka vetëm momente të vështira. Ka edhe gëzime të vogla, por shumë domethënëse. Si p.sh. kur shkon në kontrollin e radhës dhe të thonë që bebja ka shtuar peshë dhe gjatësi. Dikur kjo do më dukej arsye qesharake për t’u gëzuar. Ose dëshira për ta fotografuar bebin në çdo fazë, sikur të kesh frikë se mos harron diçka nga ky udhëtim.
“Mëmësia të bën të kuptosh më shumë dhe të gjykosh më pak”.
Unë kam përjetuar lindjen me prerje Çezariane, me zgjedhjen time. Brenda kësaj zgjedhjeje kishte shumë arsye dhe po aq frikëra. Gjatë javës që kalova në spital për rrezik lindjeje të parakohshme (33–34 javë), mes përpjekjes për të socializuar dhe duke mësuar nga përvoja e nënave të tjera, mendoja se po përgatitesha për momentin final. Por netëve dëgjoja nëna që bërtisnin gjatë lindjeve natyrale, dhe kjo, çuditërisht, ma komplikoi dhe ma thjeshtoi njëkohësisht vendimin.
Prej aty vendosa për lindje me prerje Çezariane – ose “seksio”, siç i thonë mjekët, një term që më ka konfuzuar gjithmonë kur e kam dëgjuar.
Vetë procesi i lindjes ishte për mua një gjendje alarmi. E mpirë nga mesi e poshtë, e lidhur nga duart, me një prozhektor përballë dhe një perde që të ndante nga ajo që po ndodhte, ndihesha si në një shfaqje ku mezi prisja të fillonte akti kryesor: të shihja bebushin dhe të dëgjoja të qarat e tij. Ndërkohë, mendja ime ishte plot me pyetje: Kur do qajë? Sa do qajë? Kur do e shoh?
Kur më në fund erdhi në jetë dhe e dëgjova që qante, ndërsa e lanin, brenda meje u zgjuar një forcë instinktive për t’u ngritur e për ta ndaluar së qari. Por trupi nuk të bindet. I thosha vetes: je e pafuqishme për t’u ngritur nga shtrati. Dhe kjo ndjesi pafuqie ishte e fortë.
Pas kësaj aventure, as periudha e famshme e 40 ditëve nuk u respektua gjithmonë siç duhet për rikuperimin e trupit. Edhe pse ka teori dhe qasje të ndryshme që kundërshtojnë njëra-tjetrën, mua më duhej ta ndaja këtë përgjegjësi mes vetes dhe bashkëshortit – por më shumë me veten, pasi dikush duhej të punonte dhe të siguronte të ardhurat për familjen.
Përshtatja me oraret dhe botën e një bebeje kishte proceset e veta. Çdo ditë mësoja diçka të re. Kujdesi për bebin, shtëpinë, veten, plagën, marrëdhënien dhe partnerin – një ekuilibër i brishtë që ndryshonte çdo ditë.
Si nënë, por edhe si këshilluese sociale, e di sa e rëndësishme është të flasim hapur për këto përvoja. Heshtja i bën vështirësitë më të rënda. Të kërkosh ndihmë nuk është dobësi – është guxim dhe kujdes për veten dhe për fëmijën.
Kjo fotografi, dhe kjo periudhë e jetës sime, ishin shtysa që më bënë të krijoj “Rrëfimet e Roros”: një hapësirë ku realiteti i mëmësisë, me gjithë bukurinë, lodhjen dhe momentet e saj njerëzore, mund të thuhet pa filtra.
PS;
Ky rrëfim nuk synon të japë modele ideale, por të normalizojë përvojat reale që shumë gra përjetojnë pas lindjes.
Leave a comment