KUSH JAM UNË?

Pse lindën “Rrëfimet e Roros”Ky blog lindi nga dëshira për të ndarë rrëfime reale nga jeta ime personale dhe profesionale. Nga përvoja si nënë, si interprete e Gjuhës së Shenjave Shqipe dhe si këshilluese sociale, kam kuptuar se ndarja e përvojave krijon lidhje dhe ndërgjegjësim. “Rrëfimet e Roros” nuk janë thjesht histori personale, por reflektime që prekin realitetin e shumë njerëzve. Kjo është një hapësirë ku fjala ka kuptim dhe përvoja merr zë.

Ky është postimi im i parë.
Dhe ndoshta më i rëndësishmi.
Emri im është Aurora dhe ky blog lindi nga një nevojë e brendshme për të folur. Për të ndarë. Për të reflektuar mbi përvoja që më kanë formuar si njeri dhe si profesioniste.
Kam studiuar Psikologji dhe kam përfunduar Masterin në Këshillim Psikologjik. Në vitin 2024 jam diplomuar gjithashtu si Interprete e Gjuhës së Shenjave Shqipe, niveli B2. Edhe pse kjo diplomë erdhi më vonë, lidhja ime me Gjuhën e Shenjave ka nisur shumë herët — që në fëmijëri — dhe ka qenë pjesë e pandashme e jetës sime deri më sot. Në një postim të veçantë do të ndalem më gjatë në këtë rrugëtim dhe në njohjen me kulturën e komunitetit që nuk dëgjon, një botë që meriton më shumë zë dhe më shumë mirëkuptim.
Për pesë vite kam qenë pjesë e Shërbimit Social, në varësi të Bashkisë së Tiranës. Gjatë kësaj periudhe kam prekur nga afër realitete të forta, problematika konkrete dhe histori që nuk harrohen lehtë. Kam qenë pjesë e grupeve multidisiplinare, ku çdo rast kërkonte përgjegjësi, ndjeshmëri dhe zgjidhje reale. Këto përvoja më kanë thyer barriera, më kanë nxjerrë nga zona e rehatisë dhe më kanë mësuar të shoh përtej asaj që duket në sipërfaqe. Shumë prej këtyre temave do të trajtohen në vazhdim në këtë blog.
“Rëfimet e Roros” nisi nga një foto e thjeshtë, e gjetur rastësisht në galerinë e telefonit tim. Por në të vërtetë, ishte vetëm shkëndija e fundit për të nisur diçka që prej kohësh e kisha brenda meje: nevojën për të folur për tema që prekin, që ndonjëherë lihen në heshtje, duke ndarë këndvështrimet e mia personale dhe profesionale.
Për mua, të kesh një blog është një hap i guximshëm personal. Është një mënyrë për të thyer tabu personale, për të qenë e sinqertë dhe për të shkruar pa frikë se mos gjykohem.
Uroj që këto shkrime, të lindura nga përvoja personale dhe profesionale, të lexohen dhe të mirëkuptohen ashtu siç janë shkruar — me empati, ndershmëri dhe respekt.
Ky blog është mediumi im.
Vendi ku flas pa filtra.
Mirë se erdhët në Rëfimet e Roros 🤍

Leave a comment